(Lajm i përditësuar)
Haradinaj: Kurti e ka nda mendjen për keq e më keq
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryetarin e Vetëvendosjes se po dëshiron të harxhojë kohën prej 30 ditësh që e dha Gjykata Kushtetuese si afat për të përmbyllë konstituimin e Kuvendit të Kosovës pa ndonjë rezultat.
Ai tha se edhe presidentja Vjosa Osmani ka thënë se për votim të fshehtë duhet të ketë pëlqim të Kuvendit, duke thënë se ky pëlqim nuk ekziston.
“Ne jemi peng të Vetëvendosjes dhe Kurtit meqë s’e ka shumicën politike dhe s’dëshiron me bë. Komisioni për votim të fshehtë është pa dakordim të Kuvendit. Edhe presidentja e tha që duhet me marrë mendimin e Kuvendit, pra mocion”.
Po, ai shtoi se “s’ka pasë mocion për me ndodhë kështu. Nuk ka fare nevojë për mocion, këta vetëm mund të tërhiqen prej kësaj praktike jokushtetuese”.
Ai tha se po tentojnë të vendosin kushtetutshmëri.
“Kurti e ka nda mendjen me bë keq e më keq për Kuvendin”, tha ai, duke shtuar se është në interes të Kuvendit kthimi në votim të hapur dhe në ligjshmëri.
Dështoi edhe e 44-ta
Ka dështuar të konstituohet Kuvendi edhe për të 44-tën herë. Seanca e radhës mbahet më 11 korrik në ora 11:00.
Guri-VV-së: Çka keni, qetësohuni, i keni do vjet
Deputeti i LDK-së, Paris Guri doli në foltore gjatë nisjes së seancës konstituive, për t’i dhënë kritika VV-së.
Ai kërkoi nga deputetët e partisë së parë të qetësohen.
“Çka keni more, a jeni mirë. Qetësohuni. Mos bërtitni si fëmijët, se i keni do vjet, qetësohuni”, tha Guri.
Më pas deputeti iu drejtua edhe Fitore Pacollit.
“Fitore çka po kesh, a i ke kthy 200 mijë euro, mos kesh se marre. Oj Fitore mos bërtit moj, a i ke kthy 200 mijë euro”, u shpreh ai.
Behrami: Respektoni Kushtetutën
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, në seancën konstituive, ka kërkuar nga kryesuesi i seancës Avni Dehari ta respektojë Kushtetutën e të kthehen të aktgjykimi i Kushtetueses.
Ai i është drejtuar edhe Albin Kurtit si ushtrues i detyrës së kryeministrit, si dhe Albulena Haxhiut, duke i thënë ‘‘e nderuara ushtruese e përjetshme e kandidates për kryetare të Kuvendit’’.
‘‘I nderuar ushtrues i detyrë së kryetarit të kuvendit, i nderuar ushtrues i detyrës së kryeministrit, ushtrues të detyrës së ministrave, e nderuara ushtruese e përjetshme e kandidates për kryetare të Kuvendit. Respektone Kushtetutën’’, ka thënë ai.
Rexhepi këmbëngul në votimin e fshehtë
Deputetja Emilija Rexhepi tha se vendimi i Kushetutes nuk e kundërshton votimin e fshehtë.
“Mendim ii Gjykatës lejon me votu edhe fshehtë, ne nuk duhet me punu sipas praktikave duhet me respektu ligjin.
Ajo paraprakisht bëri thirrje për votim duke thënë se institucionet nuk janë private.
Limaj thotë se zgjidhja është politike, rrugë tjetër s’ka
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se edhe Gjykata Kushtetuese ka thënë se zgjidhja për konstituimin e Kuvendit duhet të jetë politike.
“Tash jemi gati në konsumimin e interpretimeve. Zgjidhja është vetëm për veprimet politike. Kjo po shihet, tanimë po kuptohet. Rrugë tjetër nuk ka. Sipas interpretimit tim, Kushtetuesja ka dashur ta dinamizojë zgjidhjen politike. Ka thënë të intensifikohen përpjekjet për zgjedhjet politike. Për vetë faktin se nuk ka thënë se çka pas 27 korrikut”, ka thënë ai.
Deliu-Kodra: Nuk pres që të kemi reflektim sot
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se edhe sot pritet të vazhdojë qasja e njëjtë që partia që ka fituar më së shumti ulëse do ta marrë peng Kuvendin në kohën kur, sipas saj, shteti ka shqetësime dhe probleme të shumta.
“PDK-ja do të respektojë aktgjykimin e Kushtetueses. Kemi deponuar disa vërejtje të tjera në gjykatë për shkak të mosrespektimit të partisë që ka marrë numrin më të madh të ulëseve dhe të marrim përgjigje për shkeljet në arbitraritet të plotë nga kryesuesi. Nuk pres që të kemi reflektim sot. Do të jetë qasja e njëjtë, e marrjes peng të Kuvendit në kohën kur shteti ka shqetësime dhe probleme të shumta. Po e përmend rastin e fundit në Lipjan”, ka thënë ajo para tentimit të 44-t të mërkurën.
Thaçi i LVV-së për LDK-në: Nuk është Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës, ai nuk ka qenë bllokues
Deputeti i Vetëvendosjes Halil Thaçi para seancës së Kuvendit u bëri thirrje të gjithë deputetëve për ta zgjidhur ngërçin duke votuar.
Kur u pyet se a kanë zhvilluar biseda me partitë tjera gjatë këtyre ditëve , ai tha se nuk ka informacione për diçka të tillë.
“Përveç këto që janë publike thirrje që i kemi bërë LDK-së që të bashkëpunojnë, mirëpo siç po shihet se është më ajo Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës që Ibrahim Rugova gjithmonë dhe tërë jetën është munduar për të krijuar institucionet e Kosovës, asnjëherë nuk ka qenë bllokues siç janë këta që e quajnë vetën LDK”, u shpreh ai për RTV21.
Brahimaj për Deharin: E kanë qitë aty një fatkeq, gjyshin plak
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj ka thënë se nuk do ta votojë Albulena Haxhiun në asnjë rrethanë. Para mediave, ai u shpreh i hapur për votim në rast se ndryshohet emri i kandidatit.
Pos kësaj deklarate, deputeti tutje tha se VV-ja nuk është e interesuar t’i bëjë numrat.
“VV nuk është e interesuar t’i bëjë numrat, në çdo seancë ka mungesë të deputetëve të kësaj partie, e kanë gjet një fatkeq, gjyshin plak e kanë qitë aty i cili nuk ka të drejtë me dalë prej rendit të ditës të cilën e ka bo kryesia e parlamentit paraprak. Personalisht me këtë propozim që e ka VV nuk e votoj në asnjë rrethanë, në Aleancë ka demokraci, unë këtë person nuk e votoj”, tha Brahimaj.
Kusari-Lila: Më e thjeshta është të marrin pjesë në votim dhe të tejkalohet ngërçi
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë para seancës së sotme konstituive se zhbllokimi i situatës në Kuvend mund të bëhet në mënyrën më të thjeshtë, përmes pjesëmarrjes në votim.
“Sot të marrin pjesë në votim, pro, kundër apo abstenim, dhe të tejkalohet ky ngërç. Kjo është më e thjeshta”, tha Kusari-Lila, para gazetarëve.
Ajo shtoi se të gjithë deputetët që po reflektojnë pozitivisht në këtë situatë janë të bindur se pozita e kryetarit të Kuvendit i takon grupit parlamentar të VV-së.
“Kjo situatë duhet të zhbllokohet dhe ata mund ta përkthejnë këtë qëndrim nga retorikë në veprim konkret”, shtoi ajo.
Mustafa i LDK-së thirrje administratës së Kuvendit që të mos ua ndal mikrofonat
Deputeti i LDK-së Besian Mustafa para seancës së Kuvendit i tha RTV21 e administrata duhet të iu ofrojë kushte deputetëve për t’i ushtruar detyrën.
“ U bëj thirrje administratës e Kuvendit që të na ofrojë kushte të na lëshoj mikrofonat.”, tha ai;.
Kur u pyet se a e konsiderojnë që po bëjnë shkelje që po vazhdojnë seancën pavarësisht se kryesuesi po i mbyll punimet, ai tha se jo.
“Salla e seancës është vendi i punës i deputetëve” u shpreh ai.
Sot përpjekja e 44-të për konstituim të Kuvendit
Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhn për të 44-tën herë, për të konstituar përbërjen parlamentare të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Deri më tani nuk ka arritur të votohet Albulena Haxhiu si kryeparlamentare.
LVV po insiston për votim të fshehtë, por një gjë e tillë nuk po përkrahet nga partitë tjera./21Media











