Krasniqi kritikon Kurtin për mospjesëmarrje në Samitin në Tiranë: Kryeministër, ku je?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mospjesëmarrje në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, i cili është mbajtur sot në Tiranë.
Sipas tij ky Samit është ndër më të rëndësishmit për shtetin e Kosovës.
“Kryeministër, ku je? Sot, në Tiranë po zhvillohet Samiti i përbashkët i Bashkimit Evropian me Ballkanin Perëndimor me fokus në planin e rritjes – iniciativës për investime konkrete të BE-së në shtetet e rajonit tonë. Vlera e ndarë nga BE-ja për këtë plan për periudhën 2024-2027 është 6 miliardë euro, e ku mundësia që Kosova të përfitojë qindra-miliona euro investime, është tashmë e konfirmuar”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Mospjesëmarrjen e Kurtit në Samit ai e ka quajtur papërgjegjësi dhe ikje nga obligimet.
Sipas tij me këtë qasje të Kurtit, Kosova nuk do të përfitojë investime të reja.











