Temperaturat e larta shtojnë rrezikun për zjarre, qytetarët paralajmërohen për rrezik
Si shkak i temperaturave të larta, po paralajmërohet rrezik nga zjarri. Agjencia e Menaxhimit Emergjent, apelon qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe të bashkëpunojnë me institucionet përkatëse. Ndërsa, Brigada Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prishtinë, përpos hallit të zjarrit, probleme kanë edhe me mungesën e personelit dhe vjetërsinë e automjeteve.
Rëndom gjatë verës kur temperaturat arrijnë nivele të larta, rritet edhe rreziku për shpërthimin e zjarreve në male dhe fusha. Për këtë arsye Agjencia e Menaxhimit Emergjent, paralajmëroi qytetarët nëpërmjet rrjeteve sociale, për kujdes të shtuar. Udhëheqësi i Divizionit për Cështje Ligjore, Mardhënie Publike dhe Ndërkombëtare, Nehat Koçinaj, shfleton disa të dhëna për shpërthime zjaresh ndër vite.
”Ka raste sporadike, por ende është herët për të marrë hovin si kërcënim ose rrezik në zjarre të hapura.
Tri etapa, 2007, 2012, dhe viti i kalum ishte rrezik permanent I cili na goditi pas vërshimeve, na goditi me zjarre, të cilat nuk ishte dukuri vetëm në Kosovë, por gjithandej nëpër Evropë. Dhe ai kërcënim ka gjasë që të përsëritet këtë vit…”, tha Koçinaj.
Brigada Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit në Prishtinë, vitin 2013 e konsideron vitin më problematik të intervenimeve. Zjarrëfikësit përpos rrezikut nga zjarret, janë në hall të madh edhe me kushtet e punës.
“Krejt vitet në këto sezona e ngritin numrin e intervenimeve fushore, përfshirë edhe ato në pyje edhe në ara. Viti 2013 ka pasë numrin ma të madh të intervenimeve, si numër total u kane 507 intervenime vetëm brenda një muaji, përndryshe, vitin e kalum kemi pasë ma pak se vitet e tjera. Brigada Profesionale e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit këtu në Prishtinë, dy çështje i ka prioritare e që i mungojnë është numri i personelit që është i vogël në raport me ligjin sa e jep numrin e banorëve, dhe automjetet, si numër janë të mjaftueshme, por, problem është tek vjetërsia e tyre…”, tha Gashi.
Ndonëse sivjet nuk është shënuar ndonjë rast i zjarreve, Komuna e Prishtinës kërkon nga qytetarët bashkëpunim sidomos për rapotim të rasteve të zjarrit./21Media









