Katër të vrarë, 14 të plagosur në një sulm në kompaninë turke të mbrojtjes në Ankara
(Lajm i përditësuar)
Një grup sulmuesish shpërthyen një bombë dhe shtinë me armë zjarri të mërkurën në ndërtesën e kompanisë së mbrojtjes dhe hapësirës ajrore të Turqisë, TUSAS, duke i vrarë katër njerëz dhe duke i plagosur disa të tjerë, tha presidenti turk Recep Tayyip Erdogan.
“Kemi katër martirë. Kemi 14 të plagosur. E dënoj këtë sulm terrorist dhe u uroj mëshirë martirëve tanë”, tha Erdogan një takimi me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në margjinat e samitit të BRICS në Kazan të Rusisë.
Të paktën dy nga sulmuesit u vranë, tha ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya.
”Sulm terrorist” në Turqi
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Ali Yerlikaya e ka cilësuar si terrorist sulmin në selinë e kompanisë së hapësirës ajrore të shtetit, “Tusas”, jashtë Ankarasë të mërkurën.
“Një sulm terrorist u krye kundër ndërtesës së Tusas në Kahramankazan, Ankara”, ka shkruar ministri Ali Yerlikaya.
Siç raporton ”Haberturk” nga ky sulm kanë vdekur tre persona.
Një shpërthim i madh është dëgjuar jashtë ndërtesës pasdite ndërkohë që ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri. Sipas medias, po mbahen edhe pengje.







