Saraçini ka cilësuar vitin 2023 si vit të hendbollit, Gjuka e Rugova më të mirët e vitit
Sot është mbajtur ceremonia “Laureatët e Vitit 2023” në Hotel International Prishtina.
Egzon Gjuka e Albina Rugova janë shpallur më të mirët e vitit 2023 në hendbollin kosovar.
Në praninë e drejtuesve sportivë, përfaqësuesve të MKRS-së dhe të KOK-ut, si dhe personaliteteve të shumta të hendbollit, fillimisht me një fjalë rasti është paraqitur presidenti i FHK-së, Eugen Saraçini. Ai e ka cilësuar vitin 2023 si vit të hendbollit, për shkak të sukseseve të shumta të arritura. Saraçini ka folur edhe për planet e synimet për vitin 2024.
Haris Berisha e Mirela Gjikokaj janë shpallur më të dalluarit e Kombëtareve të Kosovës. Te hendbollistët, në shtatëshen më të mirë kanë zënë vend: Arbër Curri, Lulzim Shabani, Jon Muqolli, Egzon Gjuka, Rron Ramadani, Arbios Mushkolaj e Enis Kuleta.
Shtatëshja e vitit është vendosur me vota të trajnerëve të skuadrave të Superligës. Rron Ramadani u shpall edhe lojtari më i mirë i mbrojtjes, ndërsa golashënuesi më i mirë (me 227 gola) ishte Festim Mustafa.
Te hendbollistet shtatëshen më të mirë e përbëjnë: Teninke Kaba, Albina Rugova, Tainara Luna Goncalves, Lorena Matarova, Arona Krasniqi, Natalija Milatoviq, Arlinda Dinarica. Simone Keita është lojtarja më e mirë e mbrojtjes, ndërsa Arjeta Imeraj golashënuesja më e mirë (me 196 gola).
Klubet më të mira janë shpallur Besa Famgas e Istogu, ndërsa trajnerët më të mirë Taib Kabashi e Faruk Shala. Genc dhe Getoar Bujupi janë gjyqtarët më të mirë të vitit 2023. Gjatë ceremonisë janë ndarë edhe shumë mirënjohje e shpërblime të tjera.
Kjo ceremoni u transmetua direkt në 21 Plus./21Media










