QKUK (s)’ka barna, klinika e Onkologjisë: Jemi furnizuar me 80% të barnave
Një qytetar 68 vjeçar nga Gjakova tash e dy vjet merr shpesh rrugën për në Prishtinë, për të trajtuar sëmundjen e kancerit, por në këtë betejë ai përballet me mungesë barnash, barra e të cilave ka rënë mbi supet e tij.
Deklarata të qytetarëve të dhëna në mënyrë anonime për RTV21.
“…barnat kur kom qenë një kohë me kimioterapi, 50% i kom ble vet 50% kanë qenë aty…”
Edhe për një qytetare tjetër nga Prishtina, paciente në Klinikën e Onkologjisë, mungesa e disa prej barnave po vështirëson rrugën e trajtimit.
“…ka ndodhë një herë tre muaj s’kemi pasë. Plotve ua nënvizoj mjeku për me i ble ato çka si kanë. Shumë spo kem as ku mi marrë as me i ble as cmimet tavan janë. …”
Ndërkaq, qytetari nga Gjilani që sjellë në Prishtinë gruan e tij me kancer tash e 6 vjet, thotë se nga nëntori i vitit të kaluar barin “Gemcitabinë” e siguron vet, i cili siç thotë ai i kushton rreth 100 euro.
“…prej nentorit qikjo terapi gemcitabin nuk është, përpara ka qenë. Ka edhe tjera që mungojnë po…sa kushton ky bar? Kushton 95 deri 110 euro, varet qysh e gjen në barnatore. Pavarësisht cfarë rrogë ki, tri ki mi marrë në mujtë, dy javë ren. Mos kofsh nzor e me ardhë këtu…”.
Por, drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi thotë se janë disa ilaçe që mungojnë tash e rreth dy javë, për të cilat janë në pritje të furnizimit nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës. Ditë më parë SHSKUK kishte njoftuar se në Onkologji janë 80% e barnave në listën esenciale.
“…klinika e Onkologjisë është e furnizuar me 80% e barnave të listës esenciale. Janë disa barna që ka pasë një javë apo dy që kanë mungu dhe janë në pritje që SHSKUK me i sjellë në klinikë javëve në vazhdim. Disa prej tyre pacientët po i sigurojnë vet…”, tha Kurtishi.
Shefja e Barnatores Qendrore në QKUK, Dardane Mehaj thotë se probleme kanë pasur me furnizimin me albuminë dhe glukozë, përderisa janë ende në pritje të këtyre barnave. Në këtë situatë sipas Mehajt ka ndikuar edhe nivelizimi i çmimit të barnave.
“…kemi pasë disa probleme kohëve të fundit por nuk varen prej nesh por është një zinxhir i tërë deri tek furnizimi. Barnatorja qendrore bën porositë më kohë por kemi pasë disa dështime me mungesë të ofertuesve dhe mandej proceset e riinicimit kanë bo shkëputje. Me produktet bazike jemi mirë. Jemi në pritje të furnizimit…Ka qenë mungesë albumina, glukoza. Janë produkte që është hera e dytë që nuk kemi pasur ofertues, fatmirsisht herën e tretë kemi lidhur kontratë me ofertuesin…”, tha Mehaj.
Përveç pasojave të mungesës së barnave, sipas Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, shqetësuese është edhe mos transparenca dhe llogaridhënia për gjendjen e krijuar me barnat në QKUK.
“Këto shpenzime, në shumë raste, janë katastrofike dhe kontribuojnë në varfërimin e mëtejshëm të qytetarëve, sidomos të atyre me të ardhura të ulëta. Për më tepër, mungon plotësisht transparenca dhe llogaridhënia. Askush nuk merr përgjegjësi për këto mungesa sistematike, as për dëmin e shkaktuar ndaj shëndetit të pacientëve, e as për barrën financiare që i imponohet atyre”, Grafika nga Shoqata e të Drejtave të Pacientëve.
Shoqata e të Drejtave të Pacientëve vlerëson se kjo gjendje dëmton drejtpërdrejt shëndetin dhe jetën e pacientëve dhe detyron qytetarët të përballen me shpenzime të papërballueshme për të siguruar barnat në mënyrë private./RTV21/21Media











