Qalaj: Ideja për traktat paqeje me Serbinë e dëmshme për Kosovën
Anëtari i Komisionit për Siguri nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, e ka kundërshtuar idenë për një traktat paqeje me Serbinë.
Sipas tij, një ide e tillë është e dëmshme për Kosovën. Tha se nuk mund të ketë traktat paqeje me një shtet që ka vrarë e masakruar popullin e Kosovës. Sipas tij, një marrëveshje me njohje reciproke do të ishte zgjidhja më e mirë.
‘’Definitivisht kjo qeveri e ka humbur kompasin. Me kë do të bëjë traktat paqeje, me ata që i kanë vrarë edhe fëmijët në djep, me ata që kanë dhunuar edhe vajzat e mitura, me ata që përveç që i kanë vrarë edhe i kanë djeg kufomat, me ata që ende sot i kanë zhduk trupat e të vdekurve. Ky është një veprim i dëmshëm, i papranueshëm dhe që duhet të gjykohet shumë nga të gjithë”, tha Qalaj./RTV21/21Media











