Petkoviq i kundërpërgjigjet Hovenierit: Kufijtë në Mitrovicën e Veriut janë në Serbi
Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka reaguar ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pasi ky i fundit tha se kufiri i Kosovës me Serbinë është në Mitrovicë të Veriut dhe se Kosova është një shtet i pavarur që përfshinë edhe Mitrovicën e Veriut.
Petkoviq reagoi në Twitter duke i thënë ambasadorit se “ne e dimë ku janë kufijtë në Kosovë”.
“Këta janë kufijtë e Serbisë në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244 të OKB-së. Dhe Lista Serbe është zgjedhja dhe zëri i popullit serb që mbron interesat kombëtare të popullit të tij në Kosovë, jo të ambasadave të huaja”, shkroi Petkoviq.
Hovenier i bëri sot disa deklarata pasi tha se pa disa komente të Listës Serbe pas takimit që zhvilluan.
“Dua të theksoj disa gjëra. E para është që SHBA-ja e konsideron Kosovën të jetë, dhe që nga viti 2008 nga shpallja e pavarësisë, ne e kemi njohur të jetë shtet i sovran, i pavarur dhe demokratik. Puna që bëjmë ne me Listën Serbe, si parti politike e Kosovës, është puna që e bëjmë edhe me të tjera parti opozitare në Kosovë. Nuk duhet të ketë pyetje apo sugjerim për qëndrimin e SHBA-së se Kosova është tjetër pos shtet i pavarur. Dhe kjo përfshin veriun e Kosovës, siç e kam thënë shumë herë, ne e dimë saktësisht ku është kufiri. Ne duam që Lista Serbe ta luajë rolin e vet si parti politike në Kosovën sovrane, të pavarur dhe demokratike. Ne nuk e konsiderojmë parti politike serbe, e konsiderojmë si parti e serbëve etnikë në Kosovë. Duhet ta bëjmë këtë të qartë”, tha sot ambasadori. /21Media











