Përballja me Serbinë, tifozët kuqezinj në emocione e me besim të madh për fitore
Tifozët e Kombëtares shqiptare në futboll janë të bindur se skuadra kuqezi do të fitojë tri pikë të sigurta kundër Serbisë në betejën për kualifikimet e Botërorit 2026 dhe do të qëndrojnë në hap me liderin Anglinë në Grupin K.
Parashikimet e rezultatit para duelit të zjarrtë sonte në “Air Albania” nga ora 20:45 janë të ndryshme.
Disa vënë në pikëpyetje vendimin për të zhvilluar ndeshjen me Serbinë, duke kujtuar tensionet dhe historinë e mëparshme të ndeshjeve. Megjithatë, të tjerë e shohin këtë sfidë si pjesë të natyrshme të sportit dhe besojnë se përballje të tilla nuk duhen shmangur.
Pavarësisht atmosferës sportive, sportdashësit shprehin shqetësime për mundësinë e incidenteve për shkak të ndjeshmërisë së ndeshjes duke përkujtuar incidentin në Beograd kur lojtarët e skuadre kuqezi u sulmuan.
Besim Krasniqi thotë se loja Shqipëri-Serbi do të përfundojë me rezultat tre me dy për kombëtaren kuq e zi.
“Tre me dy për Shqipërinë. Ky është sport, nuk është nevoja ta refuzojë. A mendoni se do të ketë sonte ndonjë incident në këtë ndeshje? Jo, nuk ma merr mendja. Nëse nuk fiton, nuk fiton. Lojë, sport është”, tha Krasniqi.
Edhe Afrim Muja pret fitoren e kuqezinjve në ndeshjen e radhës në Grupin K Kualifikues.
“Besojmë se do të fitojmë. Dy me një shpresojmë. A mendoni se Shqipëria është dashur ta refuzojë këtë ndeshje? Jo në të kundërtën, sporti është sport. Politika është politikë. A mendoni se do të ketë incidente sonte? Shpresojmë që jo sepse po e dëmtojnë kombëtaren”, shprehet Muja.
Ndërsa Albin Muja është optimist se Serbia do të humbë përballë kombëtares kuqe e zi me rezultat tre me zero.
“Unë mendoj se rezultati do të jetë tre me zero për Shqipërinë. A ke dëshirë të fitojë Shqipëria? Po, sepse është shteti i të gjithë shqiptarëve dhe kemi dëshirë të fitojë Shqipëria”, thotë Muja.
Në anën tjetër, Erion Brahimi shprehet se në përballjen ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë në Arenën Kombëtare në Tiranë mund të ketë incidente.
Krahas kësaj, tifozi i kombëtares shqiptare thotë se me një apo dy gola epërsi, Shqipëria do të triumfojë.
“Shpresoj që do të fitojë. Do të jetë ndeshje e vështirë. Por, me një gol apo dy më shumë sesa Serbia, besoj që fitojnë. A mendoni se Shqipëria është dashur ta refuzojë ndeshjen me Serbinë? Pas atyre gjërave që kanë ndodhur në të kaluarën mendoj që po, por pasi ata që i kanë zgjedhur grupet, e lënë këtë ndeshje të ndodhë, besoj se është në rregull. Do të bënte edhe ta refuzonin… A mendoni se do të ketë incidente, duke u bazuar nga herët e tjera? 99 për qind, po”, thotë Brahimi.
Përveç kosovarëve, për Shqipërinë shprehën përkrahje edhe disa sportdashës nga Rumania.
Rumuni Nicusor Tanasescu i cili jeton në Tiranë, shprehet i sigurt se Shqipëria do të fitojë. Ai beson se edhe sjellja e tifozëve do të jetë në pajtim me rregullat Fair-Play të UEFA-s.
“Patjetër unë do të shikoj sot lojën. Unë jam nga Rumania, por jetoj në Shqipëri dhe jam këtu me dy shokët që janë futbollistë profesionistë nga Anglia. Shpresa ime dhe jam i sigurt se Shqipëria do të fitojë dy me zero. A do të duhej që Shqipëria ta refuzonte lojën me Serbinë? Unë them, jo. Unë besoj që Zoti bënë thirrje që të kemi paqe me njëri-tjetrin. Shpresoj dhe besoj që shqiptarët do të sillen mirë. Ne duhet lëmë urrejtjet dhe çdo gjë, dhe të kemi paqe e të fokusohemi në lojë. Unë jetoj në Tiranë afër qendrës dhe kam parë disa herë atje atmosferën, mund të ketë pak telashe”, potencon Tanasescu.
Optimistë se Shqipëria do të fitojë janë shprehur qytetarët edhe në anketën e KosovaPress-it në Facebook. Madje, sipas tyre epërsia mund të shkojë deri në gjashtë gola për kuqezinjtë. Disa shkruajnë se rezultati do të jetë një me zero për kombëtaren kuq e zi, e të tjerë dy më një.
Shqipëria pas dy ndeshjeve renditet e dyta në grupin K me tri pikë, ndërsa prin Anglia me gjashtë pikë. Serbia deri më tash nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje dhe kjo do të jetë sfida e tyre e parë në grupin, ku ndodhen edhe Letonia e Andorra.
Ekipi i parë në grup kualifikohet direkt në Botërorin që vitin e ardhshëm mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë e Kanada, ndërsa vendi i dytë do të luajë në play-off. Kujtojmë, Shqipëria she Serbia kanë luajtur dy ndeshje në më shumë se një dekadë. Ndeshja e parë për kualifikimet e evropianit ishte ndërpresë në Beograd pranë rezultati të bardhë, pasi vendësit sulmuan lojtarët kuqezi dhe Shqipëria e fitoi ndeshjen në tavolinë me rezultat zyrtar 3:0, duke siguruar për herë të parë pjesëmarrjen në Evropianin 2016.










