PDK: Edhe ne e duam dorëheqjen e Kurtit, por mundësia e vetme është shpërndarja e Kuvendit
Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se kërkesa e kësaj partie për të shkuar në zgjedhje përmes shpërndarjes së kuvendit është më e mundshme për shkak se nuk i kanë numrat për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe se nuk mund ta imponojnë as dorëheqjen e Albin Kurtit.
Çitaku thotë se në këtë moment, mundësia e vetme që të shkohet në zgjedhje është përmes shpërndarjes së Kuvendit, ndërsa si preferencë thotë se e kanë edhe dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti dhe alternativat e tjera janë të pamundura.
“Fillimisht dua ta qartësoj që PDK-ja nuk ka asnjë shtizë për opozitën për kolegët tanë opozitë. Ne sigurisht që do të preferonim që kryeministri Kurti të jep dorëheqje, mirëpo dorëheqja nuk është një akt i cili ne si opozitë mund ta imponojmë sikurse që nuk i kemi numrat e mjaftueshme që ta shkarkojmë qeverinë e kryeministrit Kurti. Në politik nuk operohet me dëshira, por me të mundshmen dhe në këtë moment e mundshme është të shkohet në zgjedhje të reja përmes shpërbërjes, përkatësisht shpërndarjes së Kuvendit. Ne të gjithë po pajtohemi së paku ne si opozitë edhe PDK-ja edhe LDK-ja edhe AAK-ja që vendi ka nevojë për zgjedhje që qeveria nuk është duke bërë punën e saj, që qeverisja është e dobët, që raportet e Kosovës me aleatët janë acaruara, që ekonomia në vend ka stagnuar, që migrimi është duke shënuar parametra të dhimbshëm”, thotë Çitaku.
Ndërsa mosgatishmërinë e partive tjera për takim me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, e sheh të gabuar. Thotë se nuk i kanë sulmuar as partitë tjera kur janë takuar me kryeministrin Albin Kurti.











