Osmani nga Tirana: Koha për veprime konkrete nga BE për anëtarësimin e Kosovës
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, foli për rëndësinë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian, teksa mbërriti në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politikan Europian.
“Më me rëndësi janë bisedimet ndërmjet Kosovës dhe BE. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE, për fat të keq akoma nuk është shqyrtuar. Ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura që u jepen shteteve aspiruese, të ketë veprime konkrete, veçanërisht për shtete si Kosova që është në linjë të plotë me BE. Kosova është gjithë e gatshme që të marrë pjesë në dialog”, tha Osmani.
Osmani lidhur me dialogun Kosovë-Serbi ka thënë se është koha për veprime konkrete në këtë drejtim, ku shtoi se duhet të flitet për heqjen e masave ndaj Kosovës.
“Sa i përket dialogut Kosovës Serbi, ne më parë duhet të flasim për heqjen e masave ndaj Kosovës sepse kjo e dëmton edhe vetë kredibilitetin e BE-së, kam kërkuar edhe mbrëmë gjatë darkës me liderët e BE-së, do të kërkoj edhe sot, sepse kjo do t’i jepte kredibilitet dialogut, por Kosova është gjithnjë e gatshme që të marrë pjesë në këtë proces”, është shprehur Osmani.
“Kosovës është 100% në linjë me vendimet e BE-së sa i përket politikës së jashtme dhe asaj të Sigurisë”, ka shtuar ajo.









