Osmani në takim me Plenkoviqin: Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin terrorist ndaj Kosovës
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani ka theksuar se më 24 shtator, në Banjskë, Serbia ka kryer sulm terrorist dhe akt agresioni ndaj Kosovës me qëllim të aneksimit të veriut të Kosovës dhe destabilizimit të tërë rajonit.
“Prandaj, në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka potencuar rëndësinë e mbajtjes së Serbisë përgjegjëse për aktin e saj të agresionit kundër Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Osmani në takim me kryeministrin kroat ka thënë se në mënyrë që paqja të jetë e mundur në rajon, “Serbia duhet t’i tërheqë trupat ushtarake nga kufiri me Kosovën, ngase përbëjnë rrezik për paqen dhe stabilitetin”. Serbia ka reduktuar numrin e trupave ushtarake në kufi me Kosovën pas thirrjeve ndërkombëtare.
Për më tepër, ajo ka diskutuar me kryeministrin kroat edhe për provat e mbledhura nga policia e Kosovës “që e lidhin drejtpërdrejt Serbinë me këtë sulm si dhe për bashkëpunimin e institucioneve të sigurisë me aleatët tanë në mënyrë që të parandalohet agjenda destabilizuese e Serbisë”, thuhet në njoftim./21Media











