MPJD: Dakaj na konfirmoi se po mbahet n Serbi gjoja për krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare më 1999
Ministria e Punëve të Jashtme ka dalë me një njoftim rreth arrestimit të Hasan Dakajt në Serbi.
Kjo ministri bën të ditur se ambasadori Jetish Jashari e ka vizituar atë në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës Speciale për Krime Lufte të Beogradit, ku po mbahet ai.
Sipas njoftimit të MPJD-së, Dakaj e ka konfirmuar se Prokuroria e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit e ngarkon atë për gjoja krime të luftës kundër popullsisë jo-shqiptare gjatë luftës në Kosovë më 1999.
“Sa i përket trajtimit të tij, qytetari Dakaj ka theksuar se deri me tani nuk ka përjetuar ndonjë dhunë fizike apo formë tjetër të maltretimit. Ndërkohë, atij i është lejuar të kontaktojë me telefon familjen e tij.”, thuhet në njoftim.
“Marrë parasysh fushatën përndjekëse dhe veprimet arbitrare të Serbisë ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në veçanti atyre që kanë qenë pjesë të luftës çlirimtare, MPJD fton të gjithë qytetarët që të kenë kujdes të shtuar dhe nëse ballafaqohen me vështirësi të natyrave të ndryshme gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi, që të na kontaktojnë në numrin e telefonit: +383 46 51 00 51”, vijon njoftimi.
Po ashtu bëhet e ditur se ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla dhe diplomatët kanë ngritur shqetësimin mbi veprimet e Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës dhe i bëjnë thirrje që të angazhohen për lirimin e menjëhershëm të qytetarëve, Hasan Dakaj, Nezir Mehmetaj dhe të tjerëve që mbahen në Serbi.
“Njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, përfundon njoftimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme./21Media











