Lajçak jep detaje për takimet që pati gjatë javës, temë ishte dialogu Kosovë–Serbi
Emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka dhënë detaje për takimet që pati gjatë javës, e që një pjesë e tyre kishte temë qendrore dialogun Kosovë – Serbi.
Këto detaje Lajçak i ka dhënë përmes një postimi në Facebook.
“E mbylla këtë javë në Sllovaki, ku fola në forumin vjetor GLOBSEC Chateau Bela për dinamikën aktuale në marrëdhëniet BE-Ballkan Perëndimor dhe momentin e ri për zgjerimin. Në fillim të kësaj jave, udhëtova në Bukuresht, ku mora pjesë në një ngjarje të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet e Jashtme, që ishte fokusuar në të ardhmen e zgjerimit të BE-së. U diskutua edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, që është vendimtar për rrugën evropiane të të dyjave”, ka shkruar Lajçak në Facebook.
Ai ka treguar se ka pasur takim me ministren e jashtme të Rumanisë, Luminita Bdobescu, e po ashtu ka treguar edhe për pjesëmarrjen në konferencat Tangier në Marok dhe po ashtu në Selanik të Greqisë. Po ashtu ka treguar edhe për takime që pati me ministren për Çështje evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviq dhe me ministrin e Brendshëm, Danilo Sharanoviq.
Ai tregoi se gjatë javës pati takim edhe me përfaqësuesin special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.
Po ashtu Lajçak tha se me shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano, iu drejtua Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës dhe progresin e bërë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Ndër tjera, Lajçak ka treguar se gjatë javës pati takime edhe në Berlin, me Jens Ploetnerin, këshilltarin për Politikë të Jashtme të kancelarit gjerman Olaf Scholz./21Media











