🇽🇰 Kosova
Kurti: Pse Serbia nuk ua mundëson Asociacionin një-etnik minoriteteve të veta
nga Venera Grabanica9 shkurt 2023
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një foto të publikuar në rrjetet sociale ka treguar komunat serbe që udhëhiqen nga kryetarët joserb dhe ka pyetur se pse Serbia nuk ua mundëson Asociacionin një-etnik atyre, ndërsa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë.
Sipas Kurtit, Asociacion një-etnik në Serbi do të mund të formoheshin nga hungarezët, boshnjakët, shqiptarët e bullgarët. Por ka pyetur se pse Serbia nuk ua mundëson këtë.
“Asociacionet e komunave mbi baza etnike në Serbi? Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët. 11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, ka shkruar Kurti në Facebook./21Media











