Kurti pas dështimit të seancës: Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike
Pas dështimit të seancës për konstitimin e Kuvendit të Kovovës, ish-kryeministri Albin Kurti fajësoi deputetët e partive të tjera dhe Listën Serbe duke thënë se po lënë nam e po bëjnë lajm të keq për Kosovën.
Ai përmes një shkrimi në “Facebook”, tha se “ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike”
“Deputët e opozitës PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK sot votuan kundër raportit të komisionit për verifikimin e mandateve. Në një votim krejt formal e teknik që bazohet në dokumentacionin e KQZ-së, ata u rebeluan kundër betimit të deputetëve dhe konstituimit të legjislaturës së nëntë. Ky është sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Kjo është situatë e paparë në shtetin tonë e shumë më gjerë. Ne qeverisim mbarë e mirë, këta lanë nam e bëjnë lajm të keq për shtetin tonë. Se janë kundër qeverisë e Republikës dihet, por se janë edhe kundër vetvetes, këtë e mësuam sot”, ka shkruar ai.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar, pasi deputetët nuk e kanë votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.
Kryesuesi i seancës tha se do t’i drejtohen presidentes, Vjosa Osmani, se si të veprohet më tutje.
Në seancën konstituive duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.











