Kurti-Baykar: FSK gjatë dy vjetëve të fundit është zhvilluar dukshëm
Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim drejtorin ekzekutiv të kompanisë së mbrojtjes Baykar, Haluk Bayraktar, që po shoqërohej nga ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angili, me të cilët ka biseduar për mundësitë e reja të bashkëpunimit.
“Forca e Sigurisë së Kosovës përgjatë dy viteve të fundit është zhvilluar dukshëm sa i përket kapaciteteve luftarake, e padyshim në këtë aspekt përveç rritjes për më shumë se dyfish të buxhetit për Ministrinë e Mbrojtjes, në mënyrë direkte ka ndikuar edhe bashkëpunimi i shkëlqyer me kompaninë turke Baykar dhe Qeverinë e Turqisë me të cilën kemi bërë blerjen e dronëve TB2 dhe pajisjeve tjera më moderne ushtarake”, ka thënë Kurti.
Kurti shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bayraktar për mënyrën se si është trajtuar me prioritet të lartë çdo blerje e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, duke dëshmuar kësisoj edhe një herë raportet e ngushta ndërmjet Kosovës e Turqisë.
Ai gjithashtu e uroi Bayraktar për medaljen “Shërbim të Shquar”, me të cilën u dekorua sot nga ministri i Mbrojtjes, Maqedonci, që njëherësh është edhe çmimi më i lartë ushtarak në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës.











