Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë: Jemi të sigurt se dielli do të lind përsëri
Në 30 vjetorin e themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, i ka vizituar në Hagë Hashim Thaçin e Kadri Veselin.
Në një postim në Facebook, Krasniqi ka shkruar se këta udhëheqës, krahas patriotëve të panumërt, sakrifikuan gjithçka që Kosova të merrte frymë lirie.
“Me të njëjtin zjarr në shpirt, ata sot qëndrojnë të palëkundur duke mbajtur peshën e historisë dhe shpresat e shtetit tonë. Duke mbrojtur luftën e popullit tonë për liri. Forca dhe dinjiteti i tyre përballë vështirësive janë dëshmi e vlerave për të cilat kemi luftuar si popull dhe qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë”, theksoi ai.
Krasniqi tutje ka shkruar se “Tashmë, çdo ditë e më tepër, jemi të sigurt se: Dielli do të lind përsëri!”./21Media









