Kualifikimet për në Kampionatin Botëror ”Katar 2022” Kosova do t’i vazhdojë me ndeshjen kundër Greqisë.
Sfida zhvillohet në stadiumin ”Fadil Vokrri” në Prishtinë me fillim nga ora 20:45.
”Dardanët” vijnë nga një fitore e rëndësishme kundër Gjeorgjisë si mysafir dhe presin rezultat pozitiv edhe në sfidën e së dielës.
Trajneri Bernard Challandes nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e portierit Visar Bekaj, i cili ka rezultuar pozitiv me Covid-19, ndërsa është në dyshim edhe paraqitja e Elbasan Rashanit për shkak se lojtari ka pësuar një lëndim të lehtë dhe në stërvitjen e fundit punoi i ndarë nga pjesa tjetër e grupit.
Ndërkohë, në dispozicion është rikthyer Milot Rashica, i cili ka munguar në ballafaqimin me Gjeorgjinë.
Në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tani, Kosova ka dy humbje dhe një fitore.









