Kosova barazon ndaj Zvicrës, ëndrra për Botërorin vazhdon në play-off
(Lajm i përditësuar)
Kurti reagon pas barazimit të Kosovës ndaj Zvicrës: Po luajmë futbollin më të bukur ndonjëherë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar lidhur me ndeshjen e sotme mes Kombëtares së Kosovës dhe Zvicrës, që u mbyll me barazim.
Kurti e ka quajtur si arritje të jashtëzakonshme rezultatin e Kosovës, teksa ka thënë se po luajmë futbollin më të bukur ndonjëherë.
“Dolëm nga stadiumi me bindjen se do të duhej të kishim fituar. Rezultat pozitiv ndaj Zvicrës dhe arritje e jashtëzakonshme: kualifikimi për në fazën tjetër drejt Kupës së Botës 2026. Po luajmë futbollin më të bukur ndonjëherë, me disiplinë ndaj taktikave dhe planit të lojës, dhe pasion për stemën dhe vendin. Mezi i presim ndeshjet e radhës”, ka shkruar Kurti përmes një postimi në Facebook.
Kosova barazon ndaj Zvicrës, ëndrra për Botërorin vazhdon në play-off
Me rezultat 1:1 ka përfunduar përballja mes Kombëtares së Kosovës dhe asaj të Zvicrës, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës.
Pjesa e parë përfundoi pa gola dhe në të dominoi Zvicra. Në fillim të pjesës së dytë, Zvicra kaloi në epërsi me golin e Ruben Vargas shënoi në minutën e 47-të.
Kosova e barazoi rezultatin pastaj me supergolin e Florent Muslijës, në minutën e 74’të.
Pjesën e dytë e dominoi Kosova me sulme.
Gjatë ndeshjes, nëntë faule ishin për Kosovën, e nëntë për Zvicrën.
Kosova ka siguruar fazën “playoff” për kualifikime në Kupën e Botës 2026.
Ishte Florent Muslija, ai që shënoi në minutën e 74’të.
Aktualisht rezultati është 1:1
Pjesa e dytë sapo ka nisur dhe Zvicra ka goditur e para. Në minutën e 47-të, Ruben Vargas ka kaluar helvetikët në epërsi 0–1 ndaj Kosovës në “Fadil Vokrri”, pas një aksioni të shpejtë dhe një asistimi perfekt nga Soë.
Sulmuesi i Zvicrës u gjend i lirë në zonë dhe me një goditje të saktë e mposhti portierin e Kosovës, duke heshtur momentalisht atmosferën e zjarrtë në tribuna.
Ndeshja tani merr tjetër ritëm, me Kosovën që pritet të reagojë për të gjetur golin e barazimit në këtë duel të rëndësishëm të Grupit B në kualifikimet për Botërorin 2026.
Ka nisur pjesa e dytë e ndeshjes mes Kosovës dhe Zvicrës në stadiumin “Fadil Vokrri”, takim i vlefshëm për Grupin B të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026. Pas 45 minutave të para që u mbyllën pa gola, të dy skuadrat janë rikthyer në fushë me synimin për të rritur ritmin dhe për të kërkuar golin që mund të bëjë diferencën.
Kosova synon të shfrytëzojë mbështetjen e madhe nga tribuna, ndërsa Zvicra kërkon të marrë rezultat pozitiv për të forcuar pozitën e parë në grup. Atmosfera në stadium mbetet e zjarrtë, me tifozët që po e shtyjnë skuadrën vendase drejt një pjese të dytë më agresive.
Pritet një 45-minutësh shumë më i hapur dhe me më shumë rrezikshmëri nga të dyja anët.
Kosovë – Zvicër, nis ballafaqimi në Prishtinë
Ka startuar në stadiumin “Fadil Vokrri”” përballja vendimtare mes Kosovës dhe Zvicrës, ndeshja e fundit e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Pavarësisht reshjeve të mëdha të shiut gjatë ditës, fusha është në gjendje shumë të mirë dhe atmosfera në Prishtinë është elektrizuese, me tifozët që kanë mbushur tribunat për të mbështetur ekipin kombëtar.
Dy skuadrat hyjnë në këtë duel me objektiva të qarta, ndërsa sfida pritet të jetë e fortë dhe me shumë emocione.
Kosovë – Zvicër, ky është formacioni zyrtar i Dardanëve
Është publikuar formacioni zyrtar, me të cilin do të paraqitet në fushën e blertë sonte Kosova ndaj Zvicrës.
Në portën Dardanë është rikthyer portieri Aro Muriç, kurse në mbrojtje do të mungojë Albian Hajdari, i cili ka karton dhe trajneri Franco Foda nuk ka dashur të rrezikojë që ta humbasë në ndeshjen e “play-off”-it.
Në vend të tij do të luajë Fidan Aliti.
Në mesfushë do të mungojë Leon Avdullahu për të njëjtën arsye, kurse në vend të tij do luajë Veldin Hoxha.
Ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:45.
Agim Ademi reagon për ndeshjen Kosovë-Zvicër: Gjithçka është gati
Ani pse shiu po vazhdon të bie në vendin tonë, dhe disa rrugë janë përmbytur, kryetari i FFK-së, Agim Ademi ka njoftuar se tashmë gjithçka është gati për ndeshjen sonte mes Kosovës dhe Zvicrës.
Ademi ka deklaruar se ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit dhe çdo detaj është vënë në vend.
“Gjithçka është gati për ndeshjen e sotme! Ekipi organizativ ka punuar me përkushtim që nga orët e para të mëngjesit dhe çdo detaj është vënë në vend. Fusha na pret, tribunat janë gati të mbushen me emocion, zëra e brohorima. Tani është momenti ynë, është koha e ekipit dhe tifozëve! Shihemi në stadium!”, ka shkruar Agim Ademi në Facebook.
Sonte përballja Kosovë – Zvicër në stadiumin Fadil Vokrri
Në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë sonte zhvillohet ndeshja mes Kosovës dhe Zvicrës, e vlefshme për Grupin B të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Zvicra vjen në këtë sfidë si lidere e grupit me 13 pikë, tre më shumë se Kosova që renditet e dyta dhe e ka siguruar tashmë fazën e playoffit.
Në konferencën për media para ndeshjes, përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, tha se ekipi i tij do të synojë një paraqitje shumë të mirë ndaj helvetikëve. Megjithatë, ai pranoi se është e pamundur të synohet një fitore 6-0, rezultat që do të përmbyste renditjen në grup.
Ndërkohë, përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin, theksoi se skuadra e tij ka ardhur në Kosovë për të fituar dhe për të shënuar sa më shumë gola në këtë sfidë.
Ndeshja pritet të zhvillohet para një atmosfere të zjarrtë në kryeqytet, me rëndësi të madhe për mbylljen e këtij cikli kualifikues.










