(Lajm i përditësuar)
Prokuroria jep detaje për vdekjen e 34-vjeçarit në Prishtinë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dhënë detaje lidhur me vdekjen e 34-vjeçarit dhe plagosjen e 30-vjeçares në “Rrugën B” në Prishtinë.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
“Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit”.
“Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale me kallëzim penal si ‘’Hetim mbi vdekjen’’,për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje”, thuhet në njoftim.
Prokuroria Themelore në Prishtinë pohon është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik.
Një 34-vjeçar vdes nga therja me thikë, lëndohet një grua
Një person ka humbur jetën si pasojë e therjes me thikë, në rrugën “B” në Prishtinë. Kjo u bë e ditur nga Policia e Kosovës.
Siç bëhet e ditur nga Policia, fillimisht është raportuar për dy të lënduar. E në vendin e ngjarjes është konstatuar vdekja e një burri 34-vjeçar, ndërsa një grua 30-vjeçare është dërguar për trajtim mjekësor.
”Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjec, ndërsa e lënduara femër, 30 vjeçare është dërguar për tretman mjekësor. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.











