(Lajm i përditësuar)
Abdixhiku:LVV nuk i ka numrat, ky është thelbi i problemit
Lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku pas dështimit të sotëm të konstituimit të Kuvendit tha se thelb i këtij dështimi është se Vetëvendosja nuk i ka numrat
“Është e qartë se thelbi problemi ka qenë tek shumica parlamentar përkatësisht mungesa e kësaj shumice. Siç u pa përveç që kishim humbur 48 seanca rresht për shkak të shkeljes kushtetuese tani të konfirmuar dy herë. Ne kemi në thelb të problemit mungesën e shumicës politike. Pra, nuk ka numra partia që ka dalë e para në këto zgjedhje, refuzon të bëjë kompromis me partitë e tjera.“, tha Abdixhiku.
Ai shtoi se qëndrimet e LDK-së do të mbeten të njëjta.
“LDK-ja nuk është pjesë e ndonjë marrëveshjeje. Si e tillë nuk mund të mbështes kandidatë që s’ka marrëveshje politike dhe nuk dëshiron që të ketë marrëveshje politike në këtë drejtim”, u shpreh Abdixhiku.
Bajrami: LVV nuk ka interes ta konstituojë Kuvendin
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, pas dështimit të sotëm të konstituimit të Kuvendit tha Lëvizja Vetëvendosje nuk ka interes për ta konstituuar Kuvendin.
Sa i përket propozimit të Donika Gërvallës për kryetare të Kuvendit, Bajrami tha se LVV-ja e ka ditur që të dyja kandidatet nuk do të merrnin votën e deputetëve.
“Është fatkeqësi që ne sot nuk kemi institucione. Zyrat e Qeverisë janë të uzurpuara nga njerëz që ju ka kaluar mandati. Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë Speciale të merret seriozisht me 17 kallëzime penale që ne i kemi dorëzuar”, ka thënë ajo.
Krasniqi: Nëse LVV kishte dashtë zgjidhje sot do të mundej të kryente punë
Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi pas seancës së Kuvendit të Kosovës tha se sot kanë ardhur me shpresë se “Vetëvendosje do të rezonojë arsyeshëm dhe do të propozonte një kandidat a po kandidate që do të merrte votat”
“ megjithatë ju e patë që ata dolën me dy propozime ndryshe me herat e kaluara kur kanë propozuar vetëm një, nuk e di me çfare logjike a dispozite kushtetuese e mbylli seancën, kanë mundur me i propozua edhe të tjerët sot, por së paku kemi një rikthim te pika ku ka qenë, që jemi larguar nga tendenca bllokuese e Vetëvendosje.”, tha ai.
Krasniqi përsëriti qëndrimin e PDK-së se do të votojnë pro një kandidati i cili nuk ka qenë ministër në qeverinë e Kurtit.
“Nëse kishin dashtë zgjedhje sot mundej me kry këtë punë”, tha Krasniqi./21Media
Nuk kaloi as Gërvalla, Kuvendi mbetet ende pa u konstituuar
As kandidatja tjetër e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit Donika Gërvalla nuk ka arritur t’i marrë votat për t’u zgjedhur në këtë post .Pro votuan 57 deputetë, kundër 56, abstenime 3.
Haxhiu nuk kalon as sot
As sot deputetja Albulena Haxhiu nuk ka arritur që t’i marrë votat për tu zgjedhur Kryetare e Kuvendit.
Pro votuan 57 deputetë, kundër 56, abstenime 3. Vetëvendosje herën tjetër propozoi Donika Gërvallën.
Nis seanca e Kuvendit të Kosovës
Ka nisur seanca e Kuvendit të Kosovës, e para pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
Limaj: S’kemi votë pa marrëveshje politike
Lideri i Nismës, Famtir Limaj para seancës së Kuvendit të Kosvës tha se gjatë kësaj kohe nuk ka pasur takim me liderin e LVV-së Albin Kurti.
Ai tha se mundësitë i kanë lënë të hapura, përcjell portali rtv21.tv
“Shpresoj që partia e parë duhet të gjejë rrugë për të ndërtuar kapacitetet për të krijuar shumicë parlamentare. Nisma Socialdemokrate nëse këtu veprohet sipas udhëzimit të Gjykatës Kushtetuese derisa nuk ka një marrëveshje votimi ynë është ai që ka qenë para se hy në komisionin e fshehtë, ne nuk kemi votë pa një marrëveshje politike e cila prodhon ndërtimin e institucioneve”, tha Limaj.
“S’jemi parë moti”, Albulena Haxhiu nuk përgjiet në pyetjet e gazetarëve
Kanidatja e LVV-së për Kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk iu përgjigj gazetarëve ndërsa po hynte në Kuvend për vazhdimin e seancës konstituive.
“Nuk ju kemi parë moti. Po më vjen shumë mirë që po takohemi”, tha deputetja, ndërsa nuk iu përgjgij pyetjeve nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta respektojë aktgjykimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit dhe nëse ajo do të heqë dorë nga përpjekja për t’u bërë kryeparlamentare në rast se sërish nuk i merr votat e nevojshme.
Deliu: S’kemi votë për Haxhiun, Kosova ka probleme më të mëdha se sa a do të zgjedhet ajo kryetare a jo
Deputetja e PDK-së Blerta Deliu tha se shpreson që Lëvizja Vetëvendosje të respektojë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese , për votim të hapur.
“Është ende herët të flas sepse mund ta paragjykoj, vendi duhet të mësohet sidomos përfaqësuesit publik, që janë të veshur me votë të qytetarëve që aktgjykimet e tilla as të mos vihen në dilemë është detyrim kushtetues i deputetëve që ti respektojnë këto aktgjykime, Kosova është bllokuar që 5 muaj për shkak të arrogancës… Kosova ka probleme shumë më të mëdha se sa a do të zgjedhet zonja Haxhiu ose jo kryetare e Kuvendit të Kosovës”, tha Deliu, përcjell rtv21.tv
Ajo u shpreh se do të votojnë, pasi që sipas saj një gjë të tillë e kanë bërë edhe më herët por kanë refuzuar ta votojnë vetëm komisionin për votim të fshehtë.
“Do të marrim pjesë në votim ashtu siç kemi bërë pesë herë kundër zonjës Haxhiu, nuk kemi votë për Haxhiun”, u shpreh ajo.
Nura: PDK ka shqyrtu mundësinë me ndejt në parlament edhe 48 orë , vetëm të zgjidhet problemi
Deputeti i PDK-së Jakup Nura para seancës konstituive të Kuvendit tha se çdo vendim i Gjykatave nuk iu ka shkuar për shtat LVV-së.
Ai u shpreh optimist në kalimin e bllokadës. Derisa tha se gjatë kësaj kohe deputetët e partisë së tij nk kanë shkuar në pushim, por tha se zgjedhja iu takon partisë fituese- LVV-së.
“Na si PDK e kemi shqyrtu mundësinë me ndejt në parlament edhe 48 orë vetëm me iu dhënë mundësinë që sa më shpejt të zgjidhet ky problem, mendoj që këtë radhë do të kemi një angazhim ma të madh rreth limitit të kohës së qitjes në propozim të kandidatit, besoj që ka më shku më shpejt se sa që ka shku deri më tani , propozimet që i kanë bërë për 48 orë ka me u shkurtu koha.”, tha ai.
Haradinaj: Qëllimi i Kurtit me mbajt peng Kosovën nuk ka ndryshu
Lideri i AAK-së Ramush Haradiniaj para seancës së Kuvendit tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuse ka sqaruar disa pika, duke përfshirë atë se votimi duhet të jetë i hapur.
“Do të kthehemi në parlament pas vendimit të Gjykatës, tashmë dihet është sqaru se duhet të jetë votim i hapur dhe njëkohësisht është sqaru se një kandidat që nuk merr votën s’mund të kandidojë mbi tri herë , po ashtu është edhe afati 30 ditotr edhe njëherë.”, deklaroi Haradinaj.
Ai tha se nuk kanë votë për Albulena Haxhiun por, kanë votë për ndonjë kandidat tjetër nga LVV-ja i cili sipas Haradinajt është unifikues.
“ Nëse sot do të ishte Konjufca ose Saranda , ose Shqipe Hetemi do të votojshim”, tha Haradinaj.
Kur u pyet se nëse nuk do të arrihet të konstituhohet Kuvendi as pas 30 ditësh ai tha se do të vërtetohet qëllimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
“Për fat të keq unë besoj që qëllimi i tij nuk ka ndryshu, është me vazhdu me mbajt peng Kosovën, me udhëheq me Kosovën pra në mënyrë jo të ligjshme , me mbajt peng Kosovën”, tha ai.
Sot seanca për konstituimin e Kuvendit
Një ditë pas publikimit të plotë të akgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, i cili kërkon nga deputetët që brenda 30 dite të konstituojnë këtë institucion, Kuvendi ka njoftuar se është thirrë seanca për të mërkurën në orën 11:00. Vetëvendosje ka kritkuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke thënë se kushtetuesja ka hyrë në kompetencat e Kuvendit duke kufizuar të drejtën e votimit të një kandidati për kryeparlamentar deri në tri herë. Deputeti i LVV-së, Hekuran Murani, ka shkruar se akgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka përmbajtje sikur të ishte shkruar në zyrat e PDK-së.
‘’Kryesuesi i Seancës Konstituive z. Avni Dehari, dhe Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje që nga data 15 prill e deri me 26 korrik kanë vepruar në përputhje të plotë me Kushtetutën, nëse marrim për bazë Aktgjykimin KO119/2014. Kushtetuta është e njëjta si në vitin 2014. Nuk ka ndryshuar.
Por ajo çfarë ka ndryshuar është interpretimi që po i bëjnë Kushtetutës anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, sepse ka ndryshuar fituesi – tash është Lëvizja Vetëvendosje e nuk është PDK-ja. Në fakt, ky Aktgjykimi i publikuar dje edhe duket sikur është shkruar në zyret e PDK-së, për dallim prej atij të datës 26 qershor që megjithatë linte përshtypjen se ka pasur kontribut edhe nga vetë Gjykata’’.
Deputeti i LDK-së, Krenar Xhaferi, vlerëson se bllokada për konstituimin e Kuvendit mund të vazhdoj edhe pas publikimit të akgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, pa një vullnet politik nga LVV-ja nuk mund të ketë konstituim të Kuvendit.
‘’Kritikat e zyrtarëve të LVV-së ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese janë sinjale se bllokada në Kuvend mund të vazhdoj. Unë kujtoj se duhet të gjenden energji të mira për dalje nga bllokada. Unë besoj se nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese zbatohet, pra që një kandidat nuk mund të votohet më shumë se tri herë, atëherë dilet prej ngërçit politik. LDK-ja prapë e ka qëndrimin e njejtë se nuk do ta votojmë asnjë kandidat të LVV-së për kryetar të Kuvendit. Por ka vullnet nga partitë politike, apo nga disa individ që të dilet prej kësaj situate. Ngërçi politik mund të tejkalohet vetëm nëse ka vullnet politik nga partia e parë”.
Shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Time Kadrijaj, akuzon LVV-në për shkelje kushtetuese dhe bllokim të konstituimit të Kuvendit. Deputetja Kadrijaj tha se AAK-ja nuk kanë votë për Albulena Haxhiun dhe as për anëtarët e kabinetit qeveritar.
Time Kadrijaj, shefe e grupit parlamentar të AAK-së
‘’ Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë se zoti Dehari ka shkelur kushtetutën, duhet që t’i kthehet rendit të ditës , duhet t’i kthehet votimit të hapur dhe një kandidat nuk ka të drejtë më shumë se tri herë të propozohet. Gjykata ka qartësuar se LVV-ja nuk e ka të drejtën për bllokimin e Kuvendit. Nëse e ki të drejtën e propozimi e ki pobligim sigurimin e 61 votave. Jo, nuk do të ketë votë për Albulena Haxhiun dhe për asnjë anëtar të kabinetit qeveritar sepse të gjithë e kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe të gjithë janë me aktakuza”.
Burimet e RTV21 brenda Lëzvizjes Vetëvendosje thonë se ky subjekt politik të mërkurën para fillimit të seancës konstituive do të mbajë mbledhje të grupit parlamentar dhe aty do të vendosen veprimet që do të ndërmarr ky subjekt politik brenda Kuvendit, si dhe do të vendoset për emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
Avokati, Ardian Bajraktari, intepreton se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ia mohon të drejtën Albulena Haxhiut që të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit pavarësisht se e ishte propozuar në seanca fillestare.‘’Një kufizim i tillë zbatohet nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit prandaj edhe për kundër faktit se zonja Haxhiu është propozuar më shumë se sa një herë paraprakisht vlerësoj se ky kufizim zbatohet nga momenti i hyrjes në fuqi të aktgjykimit sepse akgjykimet nuk kanë karakter prapa veprues”.
Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit i gjenë partitë politike pa konsensus për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve të këtij institucioni./RTV21/21Media











