Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë Kurti, ndërsa thotë se përpos që ua mohon pagat e dinjitetshme Policisë e Ushtrisë i ka përjashtuar edhe nga kompensimet për orët shtesë e ndërrimin e natës.
Haradinaj në një postim në Facebook shkruan se siguria në vend, e brishtë dhe e luhatshme sikurse është këto vite, e vënë në rrezik nga veprime të pakoordinuara, përpos që ka destabilizuar çdo raport të ndërtuar me partnerët tanë të sigurisë, po vë në rrezik edhe mirëqenien e përditshme të njeriut me uniformë në Kosovë.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) ka reaguar pas raportimeve mbi vonesat në ekzekutimin e pagesave për orët shtesë të policëve, infermierëve dhe ushtarëve, duke sqaruar përgjegjësitë e organizatave buxhetore përkatëse.
Sipas MFPT-së, përgatitja e listave të pagave dhe sigurimi që shumat e urdhëruara për pagesë janë brenda kufijve buxhetorë të miratuar, i takon secilës organizatë buxhetore. Ministria theksoi se Thesari vetëm siguron përputhjen me ndarjen buxhetore dhe kryen procesimin e pagesave.











