Finlandës i është thënë se mund t’i duhet deri në 1 vjet që të bashkohet me NATO-n
Finlandës i është thënë nga krerët e NATO-s se mund t’i duhet deri në një vit që vendi të bashkohet me aleancën ushtarake.
Qeverisë në Helsinki i ishte premtuar se procesi i anëtarësimit në NATO do të ishte “i qetë dhe i shpejtë”.
Por, Ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, u tha gazetarëve se Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kishte thënë se procesi i ratifikimit mund të zgjasë nga katër deri në 12 muaj.
Kjo është periudha gjatë së cilës legjislaturat e 30 vendeve anëtare të NATO-s do të jepnin mbështetjen e tyre formale për aplikimin e Finlandës.
Kjo ka rëndësi, sepse gjatë periudhës ndërmjet aplikimit dhe anëtarësimit – e njohur si “zona gri” – Finlanda nuk do të gëzonte garancitë e plota të sigurisë që ofron NATO.
Haavisto tha se Boris Johnson kishte dhënë një “deklaratë shumë të qartë se si Mbretëria e Bashkuar – gjatë “zonës gri” – mund të na ndihmonte në shumë mënyra, duke përfshirë mjetet ushtarake”.
Ai zbuloi se Finlanda kishte zhvilluar bisedime dypalëshe me Francën, Spanjën, Gjermaninë dhe Turqinë në përpjekje për të siguruar mbështetje të ngjashme ushtarake gjatë procesit të aplikimit, shkruan BBC./21Media








