Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

DnV: Fushatë me nivel të zbehtë të entuziazmit qytetar, e përqendruar tek liderët

nga Venera Grabanica27 dhjetor 2025
DnV: Fushatë me nivel të zbehtë të entuziazmit qytetar, e përqendruar tek liderët

Fushatë zgjedhore konkurruese, por të përqendruar te liderët e nivel i zbehtë i entuziazmit qytetar, është pasqyra e fushatës së zgjedhjeve qendrore të 28 dhjetorit, sipas Demokracisë në Veprim.

Në një konferencë për media në ditën e fundit të fushatës, Ismet Kryeziu, drejtues i DnV-së u shpreh se gara ka qenë e qetë dhe pa incidente serioze.

Megjithatë, sipas koalicionit të organizatave, vëzhgimi ka treguar disa prirje dhe sfida që kanë ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e fushatës.

E para ka qenë niveli i zbehtë i entuziazmit qytetar.

“Pjesëmarrja e qytetarëve në aktivitetet e fushatës është luhatur ndjeshëm mes subjekteve politike dhe formave të organizuara të takimeve, nga qindra pjesëmarrës deri në mbi 1000 pjesëmarrës. Llojet e aktiviteteve kanë qenë të kombinuara me pjesëmarrje të mesme dhe me pjesëmarrje të gjerë në prezantimin e listave, dhe janë zhvilluar kryesisht në ambiente të mbyllura. Shtrirja e aktiviteteve ka treguar përqendrim të subjekteve në qendrat urbane dhe komunat më të mëdha e me peshë elektoral, ndërsa komunat më të vogla kanë qene më pak të ekspozuara”, thuhet në gjetjet e DnV-së.

Çështje tjetër ka qenë personalizimi dhe centralizimi i fushatave. “Liderët partiakë, apo kandidatët për kryeministër kanë dominuar pothuajse të gjitha aktivitetet, ndërsa kandidatët për deputetë dhe strukturat e tjera partiake ka pasur rol dytësor. Edhe pse ka pasur takime dhe organizime të kandidatëve pa prezencën e liderit, këto takime kryesisht kanë qenë të karakterit të takimeve të vogla.  Ky personalizim i fushatës drejt liderit, ka kufizuar mundësitë dhe paraqitjet programore nga ana e kandidatëve”, ishte gjetja tjetër.

Sfida serioze, sipas DnV-së, mbeten përfaqësimi dhe gjithëpërfshirja.

“Gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara si folëse – mesatarisht vetëm një në pesë – ndërsa në shumë aktivitete nuk ka pasur asnjë grua folëse. Në listat zgjedhore. Përfaqësimi i është mbajtur kryesisht në nivelin minimal ligjor prej 30%, duke treguar përmbushje formale të kërkesave ligjore, por jo nj angazhim politik për fuqizimin e   grave në politik apo refleksion të raportit të barabartë gjinor në listën e votuesve”, thuhet në gjetje. Në këtë pikë thuhet se ka edhe hapësirë të kufizuar për të rinjtë në role vendimmarrëse e përfaqësuese. Mosha dominuese e kandidatëve për deputetë sillet nga 30-50 vjeç. Mungesë e theksuar e përfaqësimit ka qenë edhe te personat me aftësi të kufizuar.

Sipas DnV-së, fushata ka qenë e përqendruar kryesisht në çështjet ekonomike, sociale dhe të sigurisë. Temat kanë qenë punësimi, pagat, mirëqenia sociale, arsimi, shëndetësia, infrastruktura e anëtarësimi në NATO-.

“Këto tema kanë dominuar mesazhet publike të subjekteve politike dhe janë përdorur si elemente kyçe për mobilizimin e elektoratit. Madje, çështja e rritjes së pagave dhe fuqizimi i skemave tjera të karakterit social i kanë karakterizuar pothuajse të gjitha subjektet politike, pavarësisht profileve të tyre ideologjike”, ka konstatuar DnV-ja.

Sipas DnV-së, përdorimi i gjuhës fyese e diskriminuese ka qenë shumë më pak i shprehur në këtë fushatë.

FIFA shpall pa faj arbitrin e akuzuar për gjest supremacist
LAJMI TJETËR →
FIFA shpall pa faj arbitrin e akuzuar për gjest supremacist

Më të fundit

Të gjitha →