Moti…🇦🇱 SQ🇬🇧 EN🔎 Kërko
RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

Dialogu Kosovë-Serbi drejtë dështimit!

nga Venera Grabanica4 korrik 2024
Dialogu Kosovë-Serbi drejtë dështimit!

Mbi gjashtë orë takim dhe pa asnjë rezultat konkret ishte bilanci i takimit të së martës midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë. Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq thelluan akuzat në distancë edhe pas takimit ballë për ballë me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të BE-së. Kryenegociatori Besnik Bislimi la fajtor Petkoviqin i cili, sipas tij, refuzoi ta pranojë marrëveshjen bazë në tërësi duke u fokusuar vetëm në themelimin e Asociacionit.

“Pala serbe ishte e interesuar të bisedojë vetëm për zbatimin e një pjese të Marrëveshjes Bazë, themelimin e Asociacionit…’’, tha Bislimi.

Ndërsa, Petkoviq akuzoi Bislimin për, siç tha, mbytje të dialogut.

“Bislimi dje në Bruksel: refuzoi të diskutonte për personat e zhdukur, e quajti Marrëveshjen për Vizitat Zyrtare inekzistente, e kritikoi Elektroseverin si jonormal, hodhi poshtë draft-statutin e BE-së për Asociacionin, të gjitha para Lajçakut dhe ekipit të tij. Prishtina po e vret dialogun!”, tha Petkoviq.

Mungesa e rezultateve në proces të dialogut është pasojë e qasjes së ndërmjetësuesve të dialogut vlerëson analisti politik Visar Xani. Sipas tij, Borrell po thërret takime sa për ta përmbushur agjendën e tij deri në përfundim të mandatit.

‘’Kjo duket më shumë si një takim për të përmbushur një lloj agjende të  figurave të kaluara të BE-së sesa një takim që mund të kishte rezultat. E kemi par edhe agjendën se ka qenë takim i përgjithshëm dhe nuk ka pasur pika specigfike. Dhe rezultatet janë të prirura të jenë të mangëta”, tha Xani për RTV21.

Ndryshe mendon politologu Fidan Ukaj sipas të cilit përpjekjet e BE-së për vazhdimin e takimeve janë serioze.  Ukaj i quan të drejta kërkesat e kryeministrit Kurit si kushtëzime për takim të nivelit të lartë.

‘’Procesi dialogut dhe zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara më herët midis Kosovës dhe Serbisë mund të themi se gjenden në një status-quo pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në veri të Kosovës. Përpjekjet e BE-së për një takim të nivelit të lartë ishte mjaft serioze”, tha Ukaj.

Por, ku mbeti Kosova në proces të dialogut pas mungesës së rezultateve konkrete.

‘’Kosova ka mbetur tek vitet e kaluara sepse nuk ka pasur ndonjë progres në proces të dialogut. Kushtet e Kosovës mund të jenë pretekst për reagimet e BE-së por reagimet nuk kanë qenë të tilla ndaj Serbisë”, tha Visar Xani, analist politik.

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak pas takimit të kryenegociatorëve paralajmëroi se palët kanë rënë dakord për një sërë hapash vijues në proces të dialogut./RTV21/21Media

Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës
LAJMI TJETËR →
Ronaldo ndjek historinë, Anglia sfidon Kroacinë në Kupën e Botës

Më të fundit

Të gjitha →