Basha e shpall të mbyllur konstituimin e Kuvendit pa zgjedhjen e njërit nënkryetar
(Lajm i përditësuar)
VV: Ose qeveri e re, ose zgjedhja të reja
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka thënë se si VV janë të interesuar të ecin përpara. Por sipas saj, kjo do të bëhet ose me qeveri të re, ose me zgjedhje të reja.
Kjo pasi sipas Haxhiut, nuk ekzistojnë alternativa të tjera.
“Ne jemi të interesuar të ecim përpara, ose me qeverinë e re, ose me zgjedhje, sepse nuk kemi alternativë tjetër”, u shpreh nënkryetarja.
Bajrami thotë se Basha bëri shkelje flagrante të Kushtetutës
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka thënë se mbyllja e seancës konstituive nga kryeparlamentari Dimal Basha, pa zgjedhur nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, është shkelje flagrante e Kushtetutës.
“Ishit dëshmitarë të një shkelje flagrante të Kushtetutës, ku kryetari i sapozgjedhur mbylli seancën konstituive pa të drejtë sepse rregullorja e thotë qartë që Kuvendi konstituohet dhe seanca mbyllet vetëm në rastin kur zgjedhet kryetari dhe zgjedhen të gjithë nënkryetarët”, ka thënë ajo në një deklaratë për mediat pas seancës.
Bajrami ka thënë se LDK-ja ka refuzuar të votojë ndaras për nënkryetarët, sepse sipas saj, aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i ka obliguar deputetët të vazhdojnë konstituimin sipas agjendës së dakorduar më 8 prill. E këtu, siç ka thënë Bajrami, ka pasur pajtim që nënkryetarët të votohen në pako.
Ajo ka përsëritur qëndrimin se Vetëvendosje nuk i ka numrat e shumicës për ta formuar qeverinë dhe se kjo është arsyeja e bllokadave.
Të shtunën u ezauruan të gjithë emrat e deputetëve të komunitetit serb në votimin me short. Pavarësisht kësaj, kryetari Basha vendosi që ta mbyllë seancën duke thënë se “puna duhet të vazhdojë”.
Krasniqi: VV e ka kthyer Kuvendin e Kosovës në Big Brother
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në këtë rast dështimit të zgjedhjes së nënkryetarit të pestë nga komuniteti serb, thotë se si parti ofruan proces që do të nxirrnin vendin nga kriza.
Ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim thellimin e kësaj krize.
“Përkundër faktit që ne e mundësuam një proces që do të zhbllokonte krizën politike, do të na nxirrte si politikë, si institucione nga situata, Lëvizja Vetëvendosje qartë nuk e ka këtë qëllim, por e ka për qëllim që ta vazhdojë e ta thellojë krizën. Kjo është një papërgjegjësi e skajshme,l vërtetë është një populizëm. Por kjo papërgjegjësi mund të sjell edhe pasoja”, u shpreh Krasniqi.
Ndër të tjera, i pari i PDK-së, thotë se VV e ka kthyer Kuvendin në Big Brother.
Abdixhiku: Thirrja e mbledhjes së Kryesisë nga Basha antikushtetuese, s’marrim pjesë në çmenduri të tilla
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur situatën e sotme shembull kryesor të çmendurisë së populizmit.
Ai ka thënë se s’do të marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të thirrur nga Dimal Basha.
Ai ka thënë se Basha ka konstatuar gabimisht se seanca është konstituar, meqë Kushtetuta e thotë qartë që një gjë e tillë konsiderohet vetëm pasi të jenë zgjedhur të gjithë nënkryetarët.
Thirrjen e mbledhjes së Kryesisë nga Basha, Abdixhiku ka thënë se është antikushtetuese dhe s’marrin pjesë.
“S’marrim pjesë në çmenduri të tilla”, ka thënë ai.
As Simiq nuk i mori votat
As Igor Simiq nuk është zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Kosovës.
Ai ishte i fundit në rundin e votimeve për nënkryetar të komunitetit serb.
Rashiq dështon të bëhet nënkryetar i Kuvendit
Nenad Rashiq ka dështuar të zgjedhet nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti serb.
S’ka vota për Miljana Nikoliq
Anëtarja e Listës Serbe, Miljana Nikoliq, ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetare të Kuvendit.
Pas një ore vonesë fillon seanca, a do të konstituohet Kuvendi?
Ka nisur edhe seanca e radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës, pas rreth një ore vonesë.
Të pranishëm në sallë janë 104 deputetë.
Ani pse kryetari dhe katër nënkryetarët e Parlamentit janë zgjedhur, ngërçi nuk po kalon në këtë institucion.
Kjo pasi nënkryetari i pestë nga komuniteti serb, që dy seanca nuk merr votat e mjaftueshme.
Ndryshe sot të drejtë nominimi për këtë post kanë Igor Simiq e Miljana Nikoliq nga Lista Serbe, dhe Nenad Rashiq nga Partia e Pavarur Liberale.
Balje: Ndarja e votimit për nënkryetar u bë për të blerë kohë, tash po afrohen zgjedhjet lokale
Deputetja Duda Balje ka thënë se më herët nënkryetarët e komuniteteve janë votuar në pako. Megjithatë ajo thotë se ndarja e votimit që ndodhi në këtë legjislaturë, u bë shkak për krijimin e një problemi të ri në Kuvend.
Ajo thotë se këtë e sheh si të qëllimshme, meqë Kurti dëshiron të blejë kohë. Balje shton se tashmë po afrohen zgjedhjet lokale dhe shumica e deputetëve duan të angazhohen për zgjedhje.
“Deri tash kemi votuar në pako. Vetëm hapin që duhet me votuar vec e vec, ka qenë problemi që e kemi sot. Është pak me qëllim. Ndoshta për me ble kohë, tash kemi zgjedhje lokale, shumica e deputetëve janë zënë. Aryseja kryesore është bleraj e kohës”, ka thënë ajo.
Sveçla: Është detyrë jetike që Lista Serbe të mbetet jashtë Kryesisë
Deputeti i LVV-së, Xhelal Sveçla, ka deklaruar se është detyrë jetike që Lista Serbe të mbetet jashtë Kryesisë së Kuvendi.
Sveçla ka shpërndarë në Facebook, se ky subjekt ka qenë i përfshirë aktivisht në sulmin ndaj Kushtetushmërisë, institucioneve të Republikës.
“Meqenëse ky subjekt ka qenë i përfshirë aktivisht në sulmin ndaj Kushtetushmërisë, institucioneve të Republikës, KFOR-it, misioneve të huaja, gazetarëve e qytetarëve, është detyrë jetike që ky subjekt të mbetet jashtë Kryesisë”, ka shkruar ai.
Gashi: VV-ja e ka plan bllokimin institucional
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë që bllokimi institucional është plan i Lëvizjes Vetëvendosje.
“Kanë qenë pikërisht deputetët e Vetëvendosjes që kanë insistuar që udhëzimet të kenë fuqi detyruese, dhe tani po e përdorin këtë instrument kundër interesave të Kosovës, instrument që nuk është dashur të ekzistojë në këtë formë”, ka deklaruar Gashi para fillimit të seancës.
“Rregullimi i tepërt është problem. Koncepti im ka qenë që nuk duhet të rregullohen çështje që janë në thelb politike. Çështjet politike duhet të zgjidhen përmes kompromisit politik, sepse rregullimi i tepërt çon në bllokim institucional. Dhe tani jemi në një bllokim institucional, si rezultat i veprimeve të paarsyeshme dhe si rezultat i Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar Kuvendin. Pra, shihet qartë se ekziston një plan për të bllokuar institucionet në Kosovë. Cili është përfitimi i saj, nuk e di”, tha ai para mediave.
Krasniqi: S’e kuptoj insistimin e Kurtit për të zgjedhur Rashiqin nënkryetar
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi thotë se nuk e kupton insistimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për të zgjedhur Nenad Rashiqin nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb.
“Një votim i tillë, i ndarë, nuk është në pajtim me Kushtetutën. Ne nuk mundemi të bëhemi pjesë e lojërave politike, pavarësisht se Nenad Rashiq si person, si figurë politike, është jashtëzakonisht një figurë pozitive nga komuniteti serb, në rrethana të ndryshme do të ishte jashtëzakonisht i mirë. Albin Kurti një entuziazëm të tillë për me e zgjedh Rashiqin s’e ka pasur as për Albulena Haxhiun e as Dimal Bashën. Pse po insiston me e kriju edhe një lëndë në Gjykatën Kushtetuese, unë nuk po e kuptoj. A është qëllimi i tij me e vazhdu krizën, apo me e mbajt pozitën e kryeministrit në mënyrë uzurpatore”, tha Krasniqi.
Lista Serbe dorëzon ankesë në Kushtetuese për nënkryetarin
Lista Serbe ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb.
Kjo u bë e ditur përmes një njoftimi në Facebook.
“Parimet kushtetuese dhe demokratike shkelen rëndë dhe populli serb nuk është në gjendje të ushtrojë të drejtat e tij të garantuara. Ne presim që Gjykata Kushtetuese të reagojë urgjentisht dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur sundimin e ligjit, si dhe të drejtat e popullit serb në përputhje me aktet ligjore në fuqi”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe në Facebook.
Qalaj: Nuk e votoj Rashiqin, e as Nenada tjerë
Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj ka thënë se nuk voton Nenad Rashiqin për nënkryetar të Kuvendit, por as kandidatë të tjerë nga komuniteti serb.
Sipas Qalaj, ai nuk hedh votën e tij “për”, për shkak se nuk do të jetë pjesë e shkeljeve kushtetuese.
“Nuk e votoj as Nenad Rashiq e as Nenada të tjerë, për shkak se nuk dua të jem pjesë e shkeljeve Kushtetuese”, tha ai.
Ndër të tjera ai pyet VV-në se si njerëz që kanë kryer akte kriminale ndaj Kosovës, mund të jenë pjesë e Kuvendit.
Zemaj thotë se e gjithë bllokada lidhet rreth formimit të qeverisë pasi që VV-ja s’i ka numrat
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje qëllimisht po e zvarrit konstituimin e Kuvendit.
Sipas tij, konstituimi është bllokuar sepse kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk i ka numrat për formimin e qeverisë.
“Konstituimi po zgjat përtej arsyeshmërisë. Çështja është te numrat për qeveri dhe VV-ja nuk është e interesuar deri të kalojmë në një momentum tjetër deri sa ta ka një siguri që ka numra për krijimin e qeverisë. E gjithë kjo bllokadë lidhet rreth formimit të qeverisë”, ka thënë ai.
Kadrijaj: As sot s’besoj se votohet nënkryetari
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, është pyetur nëse pritet të votohet sot nënkryetari i Kuvendit nga radhët e pakicave serbe.
Ajo ka thënë se nuk pret as sot të ketë rezultate.
“Nuk po besoj”, ka thënë shkurt Kadrijaj.
Haxhiu: Sot mund të jetë seanca e fundit
Deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, ka thënë se pret votat nga AAK-ja e Nisma për votimin e kandidatit nga komuniteti serb për nënkryetar, konkretisht për Nenad Rashiqin.
Ajo ka shtuar se me mosvotim situata po shkon drejt zgjedhjeve, e se VV-ja nuk do zgjedhje.
“Sot mund të jetë seanca e fundit sepse nëse sot të gjithë hedhen në short dhe nuk ka tjetër që pret, atëherë nuk ka arsye të mblidhemi pas 48 orëve. Është e rëndësishme ta konstituojmë Kuvendit sepse kjo situatë çon në zgjedhje. ne nuk jemi të interesuar të shkojmë në zgjedhje, mendojmë se duhet të konstituohet. Është në dorën e opozitës, nëse PDK, LDK refuzojnë ta bëjnë këtë, të paktën presim nga AAK, Nisma”, ka thënë ajo
LIVE – Tentimi i radhës për konstituimin e Kuvendit dhe mundësia e fundit për Rashiqin
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot sërish në tentimin për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.
Procesi i konstotuimit ka mbetur te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti pakicë serb.
Në seancën e 26 gushtit, deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq, tre herë nuk i mori votat për t’u zgjedhur nënkryetar i Kuvendit.
Më pastaj kryetari Kuvendit, Dimal Basha, vendosi që procedura për zgjedhjen e nënkryetarit të bëhet përmes shortit, mirëpo pas vendosjes në votim edhe të deputetit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, as ai nuk mori votat e nevojshme për të marrë këtë post.
Për Rashiqin, i cili kandidojë vetën, sot pritet të jetë hera e tretë dhe e fundit që tenton të marrë besimin e deputetëve.
Përndryshe në ditën e 26 gushtit, Dimal Basha mori besimin e 73 deputetëve, 30 ishin kundër dhe tetë abstenuan.
Po në të njëjtën ditë janë zgjedhur nënkryetarët nga tri partitë më të mëdha shqiptare që janë Albulena Haxhiu, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala.
Edhe nga komunitetet tjera pakicë Emilia Rexhepi është zgjedhur si nënkryetare me rotacion.
Pas dështimit në dy seancat e fundit për të zgjedhur nënkryetarit nga komuniteti serb, edhe sot procesi i zgjedhjes së nënkryetarit pritet të vazhdojë përmes shortit, i cili parashihet edhe në rregulloren e Kuvendit.











