RTV21
BallinaKosova
🇽🇰 Kosova

​16 punëtorë të vdekur në vendin e punës, kërkohet zerotolerancë për punëdhënësit

nga B G44 min më parë
​16 punëtorë të vdekur në vendin e punës, kërkohet zerotolerancë për punëdhënësit

Nga fillimi i vitit e deri më tani janë 16 punëtorë që kanë vdekur në vendin e punës, e që 65.7 për qind e tyre kanë ndodhur në sektorin e ndërtimtarisë.

Derisa masat ndëshkuese ndaj punëdhënësve i bën Inspektorati Qendror i Punës, në raste se konstatohen shkelje në vendin e punës, përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se gjendja e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, është shqetësuese.

Ndërsa në aspektin juridik gjyqtari nga Gjykata Supreme, Qerim Ademaj për KosovaPress, tha se në kompentencë të gjykatave janë kërkesat për kompensim të çfarëdo dëmi nga pala e dëmtuar.

Ademaj tha se ka raste kur punëdhënësi ka kompensuar në mënyrë vullnetare familjen e palës së dëmtuar, mirëpo në raste kur nuk janë pajtuar për shumën e kompensimit, familja ka kërkuar ndërmjetësimin e gjykatës.

“Kemi raste për shembull kur vetë punëdhënësit, në raste të caktuara për shkak të vdekjes së punëtorit në punë, i kanë kompensuar në mënyrë vullnetare familjarët e tij. Mirëpo, ka raste kur domethënë për shkak të pakënaqësisë që lidhet me shumën e kompensimit dhe çështje të tjera, kanë kërkuar domethënë kompensimin e çfarëdo dëmi që ata vlerësojnë që ka mund me u shkaktu, përmes gjykatës. realisht ne kemi shpesh raste të tilla të trajtuara, domethënë natyra e tillë e lëndëve, sa i përket domethënë çfarëdo dëmi që i shkaktohet, qoftë nga pikëpamja e pjesës familjare”, tha Ademaj.

Por përveç kompensimit të këtij lloji, gjyqtari tregon se nuk ka ndonjë formë tjetër ndëshkimi për punëdhënësit për këto situata.

E përfaqësues të shoqërisë civile vlerësojnë se gjendja e sigurisë dhe shëndetit në vendin e punës, aktualisht është shqetësuese.

Gersi Gashi nga Qendra për Politika dhe Avokim për KosovaPress, tha se duhet të shtohet politika e zerotolerancës.

“Për institucionet e caktuara, ne kemi vërejtur domethënë pjesa e sigurisë dhe shëndetit në punë është më shqetësuesja për momentin për neve, sepse janë vdekjet në vendin e punës që janë duke ndodhur. Ne besojmë që Inspektorati i Punës duhet ta trajtojë këtë problematikë përmes një me metode që ka rezultuar deri diku, po besojmë, e suksesshme, është ndalimi i vendeve të punishtes. Domethënë është e vetmja metodë e cila e siguron që një vend punishte, e cila nuk i ka kushtet për sigurinë dhe shëndetin në punë, do të ndalojë veprimtarinë e saj. Për më tepër, duhet të shtohet edhe politika e zerotolerancës, domethënë ku Inspektorati i Punës të mos ketë tolerancë fare sa i përket këtyre vendeve të punishtes. Edhe po besojmë që gjykatat, me shtimin e numrit të gjyqtarëve të rinj edhe pjesën e trajtimit e standardizimit të mënyrës së trajtimit të lëndëve, kanë me arritur me e përshpejtuar edhe epilogun e lëndëve sa i përket të drejtave të punëtorëve”, tha Gashi.

Për kryetarin e Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi mosdënimi i rasteve paraprake është një lloj inkurajimi për kompanitë private që të mos jenë të përgjegjshëm karshi punëtorëve.

“Dëshira jonë ishte me qenë në rend të parë që të mos kemi asnjë rast vdekje në vendin e punës, në rend të dytë po ashtu nuk jemi njerëz të interesuar që të dënojmë dikë. Megjithatë mos dënimi i rasteve paraprake, mund të vdes punëtori dhe pronari i kompanisë mund të qëndrojë më së paku 48 orë dhe pastaj lirohet dhe është i lirë, kjo u jep një lloj inkurajimi që të mos jenë të përgjegjshëm karshi punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, tha Azemi.

KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Inspektoratin Qendror të Punës mbi këtë çështje dhe aksionin mbi vendpunishtet, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk kanë kthyer përgjigje.

Kaos në kufijtë e Kroacisë, mërgimtarët po përballen me kolona disaorëshe
LAJMI TJETËR →
Kaos në kufijtë e Kroacisë, mërgimtarët po përballen me kolona disaorëshe

Më të fundit

Të gjitha →